Friday, September 3, 2010

Siguria Energjitike

SIGURIA ENERGJETIKE NE EVROPË. NJË AMBICIE E VËSHTIRË ...!? ?!

Elton Qëndro


Një sekret i politikës? Bëj një Traktat të mirë me Rusinë...
Otto von Bismarck, 1863

Abstrakt

Kanë kaluar katër vite qëkur BE u paralajmërua nga Komisioni Evropian përmes një Dokumenti të Gjelbër mbi nevojën urgjente për të siguruar furnizimin e energjisë dhe dy vite qëkur samiti i Bukureshtit i NATO-s mandatoi aleancën për hartimin e një strategjie për sigurinë energjetike. Gjithashtu ministrat e energjisë të G8 në samitin e Acquilës në maj 2009, dolën me një deklaratë të përbashkët për të forcuar parimet e Shën Peterburgut për Sigurinë Energjitike Globale (2006).

Por që atëherë, presioni për energji është intensifikuar, nga njëra anë publiku evropian shikon gjithmonë sesi Rusia refuzon të bëjë marrëveshje drejtpërsëdrejti me NATO-n dhe BE-në. Ndërsa nga ana tjetër ndryshimet e shpeshta në çmimet e karburanteve të cilat nuk ndihmohen aspak nga hapat prapa të samitit mbi ndryshimet e klimës COP15 në Kopenhagen, i cili nuk ka bërë asgjë për të siguruar investitorët të fokusohen në energjinë alternative të rinovueshme. Komisioneri i ri i Energjisë, Gunther Oettinger ka premtuar një politikë më të vendosur rreth sigurisë energjetike evropiane dhe një metodë të përbashkët në rrafshin e BE.

Projektet konkuruese Nordstream, South Stream dhe Nabucco përbëjnë një sfidë dhe gjithashtu një përçarje mes vetë BE. Historikisht, Gjermania ka patur marrëdhënie tregtare bilaterale me Rusinë për mineralet e saj, por në Bashkimin Evropian kjo i ndryshon rregullat, pasi marrëveshjet duhet të jenë mes BE dhe Rusisë. Por sa reale është kjo? Cilat janë lëvizjet ekonomike dhe gjeopolitike që Gjermania ka ndërmarrë për të siguruar furnizimin e saj pa ndërprerje? Kush është roli i Rusisë për sigurinë energjetike të Evropës? A do mund Evropa të hartojë një strategji të re për energjinë që do ta ndihmojë në uljen e shqetësimeve të sigurisë? A do mund Evropa dhe Komisioni Evropian Barroso II të hartojë një strategji reale apo do ngelet sërish një ambicie?Po Ballkani Perëndimor?